Kanali i Stambollit, Erdogan ka propozuar ndërtimin e një kanali alternativ ndaj Bosforit

Presidenti i Turqisë ka propozuar ndërtimin e një kanali alternativ ndaj Bosforit

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, po ngjall kritika në vend dhe në Rusi për planin e tij për të ndërtuar një kanal alternativ ndaj Bosforit.

Kritikët thonë se projekti ndryshon gjeografinë e Stambollit ku do të kryhet ndërtimi, përveçse e fut vendin në borxhe të panevojshme.

Moska thotë se ai i jep Ankarasë avantazh gjeostrategjik, dhe druan se mund të përdoret nga luftanijet e NATO-s për të hyrë ndryshe në Detin e Zi dhe në Detin Mesdhe.

Tjetër shqetësim janë edhe tarifat pasi anijet do të kalonin më shpejt sesa përmes Bosforit.

"Ndërsa në Bosfor kalonin 3 mijë anije në vitet 1930, sot numri është 40 mijë. Për krahasim, Kanalin e Panamasë e kalojnë 13 mijë anije çdo vit dhe rreth 17 mijë përshkojnë Suezin. E pëlqeni apo jo, ne do ta ndërtojmë këtë."

Erdoan qeveris prej 18 vitesh dhe mendon se kanali i ri do e gjallërojë jetën e rajonit.

Por kryebashkiaku Ekrem Imamollu ngre akuza se ai është mënjanuar nga procesi dhe pronat përqark kanalit pretendon se do i jepen firmave të ndërtimit që janë të afërta me presidentin.

"Ne e quajmë Kanali i Betonit sepse poshtë, anash dhe përsipër do të jetë i tëri beton. Është thjesht një projekt zhvillimi i pasurive të paluajtshme dhe qëllimi i Erdoanit janë paratë."

Sipas një studimi, kanali i lundrueshëm 45 km i gjatë do të shtrihet në perëndim të Stambollit në një zonë që dikur planifikohej si zonë evakuimi në rast tërmetesh katastrofike.

Projekti pritet të kushtojë rreth 13 miliardë dollarë, ndërsa financimi do të bëhet i ditur në qershor dhe mendohet se gara mund të përfshijë investitorë kinezë.