Tragjedi në Izrael: Shembet stenda e pelegrinazhit: 44 të vdekur, mbi 150 të plagosur
Pelegrinazhi fetar i Lag B 'Omer në qytetin Meron në Izrael u kthye në tragjedi. Të paktën 44 njerëz kanë humbur jetën në mënyrë tragjike, kur një pjesë e stendave u shemb në vendin e pelegrinazhit fetar vjetor, në qytetin verior izraelit të Meron. Viktimat u shkelën për vdekje me njëri-tjetrin pas shembjes së strukturës ku ata po kalonin. Besimtarët po zbrisnin shkallët përgjatë një rrugice të ngushtë kur një pjesë u rrëzuan duke u shkelur për vdekje nga të tjerët.
"Ne numëruam 38 të vdekur në vend, por gjithashtu kemi edhe të tjerë të plagosur që përfunduan në spital, " thotë David Adom, zëdhënësi i Kryqit të Kuq të Izraelit. Nga ana tjetër, Spitali Ziv, thotë se numëron edhe gjashtë të vdekur, duke e çuar numrin total të njerëzve vdekur, në 44.
"Është një prej fatkeqësive më të mëdha për Izraelin. Janë shumë të plagosurit dhe kemi sjellë me vete njësinë e psikotraumave sepse qytetarët janë ekspozuar para pamjeve shumë të rënda, pamje që s'i kishim parë që prej ditëve të valës terroriste në fillimvitet 2000.", thotë zëdhënës presidenti, Dov Maisel.
Më shumë se 100,000 njerëz morën pjesë në festivalin fetar hebre të Lag B 'Omer. Autoritetet kishin dhënë leje për pjesëmarrjen në festival për vetëm 10 mijë persona, por sipas raportimeve, numri i pelegrinëve në malin Meron e kalonte shifrën 100 mijë.Dëshmitarët okularë rrëfejnë se kuptuan që njerëzit janë shkelur nga turma, kur një nga organizatorët mori megafonin, duke paralajmëruar turmën që të shpërndahej.
Pjesëmarrësit po ashtu ishin udhëzuar të mos merrnin pjesë prej rrezikut të pandemisë, megjithëse Izraeli i ka lehtësuar masat kufizuese pasi ka vaksinuar mbi gjysmën e popullsisë. Izraeli ka regjistruar më shumë se 6,300 vdekje për shkak të COVID-19 nga gjithsej rreth 838,000 raste SARS-CoV-2.



