Celibashi: Ka shumë ndërhyrje nga partitë në numërim, hapja e kutive sipas ligjit, jo preferenciale

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi në një dalje për shtyp tha se Për 23 vende të numërimit të votave ka mbaruar procesi i numërimit, si dhe për 37 vende numërimi janë numëruar 50% e votave.

Celibashi theksoi se ka pasur shumë problematike në qendrat e numërimit, kjo pasi ka pasur edhe pengim të procesit nga ndërhyrjet e përfaqësuesve të partive politike.

Celibashi: Për 23 vende të numërimit të votave ka mbaruar procesi i numërimit. Për 37 VNV janë numëruar 50% e votave. Për fat kemi probleme nga anëtarët e KZAZ-ve dhe grupeve të numërimit. Kemi të dhëna se në shumë raste problematike, pengimi i procesit vjen nga ndërhyrjet e përfaqësuesve të partive politike. KQZ ka reaguar dhe pas ndërhyrjes tonë situata ka ndryshuar. Raportime të tilla në KZAZ-të e vendit kanë qenë jo të pakta. Deri më tani nuk kemi informacione për ndërprerje të procesit të numërimit.

Celibashi komentoi edhe problemet e shkaktuara në faqen e KQZ-së, duke thënë se ka pasur vështirësi në akses për shkak të numrit të madh të kërkesave për rezultate.

Celibashi: Në faqen tonë të internetit gjendet të gjitha informacionet e nevojshme. E di që ka pasur probleme në akses në faqe, por numri i kërkesave është shumë i madh. Kjo gjë ka sjellë edhe vonesë në kërkesën për informacion. Kemi pasur disa raportime nga kandidatë për deputetë dhe deputeti i pavarur Boiken Abazi për parregullsi të vlerësimit të fletëve të votimit të këtij kandidati. Ne do të mbajnë qëndrimet e duhur sa i takon çështjeve të tilla.

Referuar fletëve të pavlefshme, Celibashi shtoi se kjo është një problematikë, por që do të shihet më vonë, pasi procesi i numërimit është me prioritet.

Celibashi: Vlerësimin në tërësi të fletëve të votimit është shumë herët për ta bërë dhe do të bëhet, por tani fokusi është te procesi i numërimit. Më pas do të shohim se cilat kanë qenë problematikat e vëna re nga sistemi i ri zgjedhor. Çdo fletë votimi që është e pavlerë, sigurisht që nuk është një lajm i mirë, por do të ulemi që ta shohim këtë gjë. Nga verifikimet e KQZ-së në mënyrë kategorike nuk rezulton që hapja e kutive të jetë bërë në mënyrë preferenciale, por janë hapur me radhën që përcakton ligji.

Deri më tani në rang vend janë numëruar rreth 62% e votave, ku Partia Socialiste kryeson me 75 mandate, PD me 58, LSI 5 dhe PSD 2 mandate.