Sot heshtje zgjedhore, nesër shqiptarët vendosin

Shqipëria ka hyrë sot në heshtje zgjedhore.

Nga mesnata e së premtes deri në orën 07:00 të së dielës, kohë kur do të hapen të gjitha qëndrat e votimit në vend për tu mbyllur në 19:00, qytetarët shqiptarë do të mund të reflektojnë përballë alternativave të subjekteve politike të shpalosura për 30 ditë me radhë.

Tre partitë më të mëdha PS, PD, LSI mbyllën mbrëmjen e së shtunës fushatën elektorale, përkatësisht PS nga sheshi lungomare në Vlorë, PD në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe LSI mbylli fushatën zgjedhore nga Fieri.

24 orët e fundit do t'i shërbejnë qytetarëve shqiptarë për të vendosur se kë do të mbështesin me votë të dielën e 25 prillit.

Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

 

Neni 174 e Kodit Zgjedhor parashikon që subjekti zgjedhor që thyen heshtjen zgjedhore gjobitet nga KQZ me 500 mijë lekë.

Sanksione parashikohen dhe për mediet që thyejnë heshtjen zgjedhore, ku po në nenin 174 të Kodit parashikohet gjobë nga KQZ në vlerë 2 milionë lekë të reja.

Shqiptarët do votojnë për 12 subjekte poltike në të gjithë vendin. Ndërkohë në Tiranë, Fier, Lezhë dhe Dibër votuesit do të kenë mundësi të votojnë edhe për kandidatët e pavarur.

Shqiptaret vendosin
PD e drejtuar nga Basha kërkon të marrë drejtimin e vendit pas 8 vitesh në opozitë me sloganin "Shqipëria fiton."

PS e drejtuar nga Rama kërkon një mandat të tretë nën sloganin "Shqipëria e ardhmja jonë."

Gjatë fushatës elektorale përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Shqipëri i kanë bërë thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e votës.

Në KQZ janë regjistruar për të garuar 46 subjekte politike dhe 3 koalicione mes të cilave "Aleanca për ndryshim" e kryesuar nga PD.

Të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 588.869 shtetas, prej të cilëve 107024 zgjedhës votojnë për herë të parë.