Ndërtohet pedonalja, banorët nuk kanë ku të lënë makinat: Lali Eri të na bëjë ashensor të parkojmë në tarracë
Kanë nisur punimet për ndërtimin e një pedonaleje në njësinë katër në kryeqytet.
Kjo tashmë është një zonë pedonale dhe parkimi është i ndaluar. Qytetarët ankohen sepse problemi në lidhje me parkimin e automjeteve të tyre ka mbetur i pazgjidhur.
Pëllumb Saliaj, i cili jeton aty prej 35 vitesh e denoncon këtë problematikë , pasi nuk i është dhënë zgjidhje çështjes së vendqëndrimit të makinave.
"Ai thotë do bëj pedonale. Lali Eri do bëjë pedonale për të bërë lekë nga tenderi, se këtu s'po bëhet asnjë gjë, gjithçka po prishet. Ne kemi probleme me parkingun," thotë ai.
Ankohen, pasi bashkia ka refuzuar te bisedojë me ta.
"Thotë biseduam, ne nuk e kemi pranuar që ai ka biseduar. Ne ku do t'i vëmë makinat? Ne kemi që në vitin 1976 këtu, me makinë kam mbi 20 vjet dhe nuk kemi ku t'i vëmë," thotë Saliaj.
Për të dytën herë radhazi, u ka shkuar shkresa për heqjen e makinave nga vend-parkimi aktual, por ato vazhdojnë të jenë aty. Arsyen e lidhin me zgjedhjet e së dielës.

"Po lali Eri është mjeshtër. Në datën 25 janë zgjedhjet dhe lali Eri mashtron përsëri dhe në 26 nëse fiton lali Eri, fillon i heq me forcë," thotë ai.
Ironizojnë për gjetjen e një zgjidhje të mundshme.
"Vetëm po bëri një gjë lali Eri, se e bën atë ai, të vendosë ashensor që t'i ngjitëm në tarracë në kat të pestë, se unë atje banoj," thotë Saliaj.
