Protokolli për votimin në 25 prill: Distancë dhe maska, nuk votojnë ata me Covid
Më 25 prill votuesit, komisionerët dhe vëzhguesit duhet të mbajnë maska mbrojtëse dhe distancë fizike nga njëri-tjetri. 5 ditë para zgjedhjeve Instituti i Shëndetit Publik publikoi protokollin anti-Covid, i cili parashikon ndër të tjera se sallat e votimit duhet të jenë të vendosura në kat të parë, të dezinfektohen dhe të ajrosen rregullisht.
Zgjedhjet parlamentare të së dielës janë të parat që zhvillohen në kohë pandemie.
Autoritetet bënë thirrje që masat ndaj infektimit me Covid të mos neglizhohen pavarësisht rëndësisë që ka procesi i votimit.
Në protokollin anti-Covid të miratuar nga Instituti i Shëndetit Publik përcaktohet se votuesit duhet të jenë të pajisur me maska dhe të evitojnë grumbullimet para qendrave të votimit.
Ata duhet të qëndrojnë në një distancë prej 1.5 metra nga njëri-tjetri, ndërsa para dhe pas votimit duhet të dezinfektojnë duart.
Sa i përket qendrave të votimit rekomandohet që ato të vendosen në kat të parë, të jenë të ajrosura dhe të dezinfektuara një ditë para zgjedhjeve.
Ambientet e votimit duhet të jenë të pajisura me hyrje dhe dalje të veçanta për të siguruar distancimin fizik të votuesve.
Kutitë e votimit duhet të vendosen të paktën 2 metra larg nga vendqëndrimi i anëtarëve të komisionit po kështu edhe dhomat e fshehta.
Masat duhet të respektohen edhe nga anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit të cilët përveç se duhet të mbajnë maskë duhet të qëndrojnë në distancë nga njëri-tjetri.
Përpara hyrjes në qendrën e votimit anëtarët por edhe vëzhguesit do të deklarojnë përmes një formulari vetëdeklarimi se nuk kanë shqetësime që lidhen me simptomat e Covid-19.
Ndërkohë të prekurit me koronavirus, rreth 25 mijë, nuk do të lejohen të votojnë të dielën e 25 prillit.