"Hero në terren, fisnik në zyrë”, efektivi Tafa në takim me Veliun: S’dua asgjë,veç falenderimit!
Ndërsa në terren u tregua hero, në zyrën e eprorit dëshmoi fisnikëri. Bëhet fjalë për efektivin e Shqiponjave, Shkelzen Tafa, i cili parandaloi një krim në Tiranë. Gjatë bisedës me drejtorin Ardi Veliu ai mësohet të mos ketë kërkuar asnjë favor veç falenderimit për aktin e kryer, pasi e konsideron atë përgjegjësi morale ndaj qytetarëve.
Shkëlzen Tafa, efektivi i skuadrës së Posaçme “Shqiponja”, i cili ditën e dielë me ndërhyrjen e tij parandaloi një krim, është vlerësuar maksimalisht nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Tafa, u prit në një takim të posaçëm nga Veliu, i cili i vuri në dukje aktin human dhe të përgjegjshëm që polici kreu, edhe pse ai ishte jashtë orarit të shërbimit.
Ora News publikoi ekskluzivisht videon e ndërhyrjes së punonjësit të policisë, i cili neutralizoi me profesionalizëm, agresorin Taulant Mekollari.
Pamjet filmike u kthyen virale në internet, ku pati një reagim me mijëra komente, për ndërhyrjen e efektivit të policisë, Shkëlzen Tafa.
Edhe pse Veliu gjatë fjalës së falenderimit, i bëri me dije Shkëlzen Tafës, që ti kërkonte çfarë dëshironte, efektivi është treguar modest, duke mos i kërkuar asnjë favor apo nder drejtuesit të Policisë së Shtetit.
Ardi Veliu: Ajo që ju bëtë është mishërimi i asaj çka duhet të bëjmë të gjithë ne punonjësit e Policisë së Shtetit. Veprimet e tua ishin kurajoze dhe profesionale, që nga vendimi që more për të ndërhyrë, nxjerrja dhe mbajta e armës, dhënia e komandave për personin që duhej t’i bindej urdhrit të punonjësit të Policisë e deri në neutralizimin e tij.
Për këtë, unë si Drejtor i Përgjithshëm, por e gjithë organizata e Policisë jemi krenarë për veprimin tuaj. Qytetarët panë tek veprimet e tua Policinë që duan dhe kjo ka akoma më shumë vlerë për ne, rritja e besimit dhe e mbështetjes së qytetarëve për Policisë, pasi pa qytetarët ne nuk mund ta kryejmë dhe përmbushim si duhet detyrën. Veprime të tilla në shërbim e në mbrojtje të jetës së qytetarëve duhet të jenë motiv për të gjithë punonjësit e Policisë.
Lexo edhe- Polici që parandaloi vrasjen në Yzberisht, praktikant pranë forcave të “Shqiponjave”
Punonjësi i Policisë, Shkëlzen Tafa, është pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja”, aktualisht në praktikë, pasi vijon studimet në vitin e tretë Bachelor në Fakultetin për Hetimin e Krimit në Akademinë e Sigurisë.
Shkëlzen Stafa ka falënderuar drejtorin Veliu për pritjen dhe vlerësimin dhe e ka siguruar atë se veprimin që ai ka kryer nuk e ka bërë për famë apo për bujë, por sepse ishte përgjegjësi morale dhe ligjore për uniformën që mban dhe detyrimin ndaj qytetarëve.