Fshati Kraps i Fierit pa rrugë, banorët: Ndihemi të braktisur komplet nga shteti
Këto copëza asfalti janë ato çfarë janë mbetur në aksin që lidhë fshatin Kraps i Sipërm me pjesën tjetër të zonës së Fierit.
Çarjet që janë krijuar, gropat që mbushen ujë dhe inerte e bëjnë pothuajse të pamundur lëvizjen me automjet.
Për shkak të mosndërhyrjes kanë nisur edhe rrëshqitjet e dheut buzë rrugës.
Banorët shprehen të zhgënjyer për situatën, ndërsa thonë se kjo gjë ua ka vështirësuar jetën.
"Të braktisur komplet. Urdhëro rruga rrëshqiti. E bëri 2 metra rrugën zotëria, të kalosh me kafshë është e vështirë sepse ne jemi fshatarë. Bëjë pak rrugën më të gjerë. Nuk dërgon dot një të sëmurë në asnjë vend. Gjendja është copë- copë," thotë banori.
"Shiko e shkruaj," thotë një tjetër.
"Nuk është vënë dorë asnjëherë, nga asnjë lloj pushteti si vendor, si lokal, asnjë lloj investimi," thotë një banore.
Thonë se janë ankuar në Bashkinë e drejtuar nga Armando Subashi por kurrë nuk ka pasur një reagim.
"Shumë herë, do vijmë, nuk vijnë," thotë banori.
"Gënjejnë, mashtrojnë njerëzit dhe asnjë gjë më shumë," thotë banori.
Madje për shkak të mungesës së investimeve nga fshati janë larguar dhjetëra banorë.
"Janë larguar rreth 500 banorë dhe arsyeja e largimit të tyre është pikërisht kjo rrugë," thotë banorja.
Rreth 450 banorët e Krapsit të Sipërm përballen çdo dite me pasojat e mungesës se investimeve.