"Shërbimi taksi si ambulancat", taksistët: Duam të vaksinohemi, jemi të rrezikuar
Në më shumë se një vit pandemi, taksistët kanë bërë thuajse të njëjtin shërbim si ambulancat, duke shoqëruar në spitale të sëmuret me covid.
Të ekspozuar çdo ditë përballë rrezikut të infektimit, për shkak të këtyre rrethanave, ata kërkojnë nga ministria e Shëndetësisë t'i përfshije në listën prioritare të të vaksinuarve.
"Po ne kemi luajtur rolin e ambulancave. Kam marrë nga Sanatoriumi, kam dërguar në Sanatorium, në qendër të Covid-it të spitalit kemi dërguar dhe kemi marrë, se ne nuk e kemi ditur e kanë apo jo Covid-in. Kur ka zbritur ka thënë dezinfektoje, ndonjë i ndershëm, se unë jam me Covid," thotë kreu i sindikatës shqiptare të taksistëve.
Humbjet e jetëve në radhët e tyre dhe infektimet kanë qenë të shumta. Sipas kreut të sindikatës shqiptare të taksistëve, Bilbil Cara rreth 50 % e tyre e kanë kaluar koronavirusin.
Por pavarësisht kësaj nga ana e autoriteteve përkatëse nuk kanë marrë asnjë reagim.
"Kemi gati një muaj që i kemi dërguar letrat dhe nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Mesa kemi dijeni, pothuajse mbi 50% e kanë kaluar Covid, kemi pasur dhe humbje jete, shokët tanë," thotë Cara
Deri tani në Shqipëri janë vaksinuar 345.934 qytetarë, ndërkohë qe numri i taksistëve është rreth 3500 në të gjithë vendin.