Gjyqi/ Llalla kërkon prova të reja
Ish prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla kërkon marrjen e provave të reja, akt-ekspertime dhe pyetjen e dëshmitarëve të tij nga Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në një seancë e cila nisi rreth orës 9:00 ish kryeprokurori u paraqit i vetëm pa prezencën e avokatit . Seanca zgjati rreth një orë, ku i pandehuri Adriatik Llalla ka kërkuar marrjen e provave me të cilat do të mbrohet gjatë këtij procesi.
Kërkesë për administrim provash ka bërë dhe prokurori i çështjes. Gjykata u tërhoq për vendim dhe pranoi të përfshije në fashikujt e dosjes prova të palëve.
Procesi ligjor ndaj Llallës do të vijojë më datë 22 prill me pyetjen e dëshmitarëve. Pak ditë më parë gjykata vendosi të rikthejë nga fillimi procesin ndaj ish kryeprokurorit pasi ky i fundit kërkoi revokim të gjykimit të shkurtuar dhe zhvillimin normal të procesit në mënyrë që ai të kishte mundësinë e paraqitjes së provave të reja.
Kthesa, erdhi pikërisht ndërsa pritej që ish Prokurori i Përgjithshëm të paraqiste mbrojtjen, dhe gjykata të dilte me një vendim. SPAK, kishte kërkuar dënimin me dy vjet burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohej me 1 vit e 4 muaj, si dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike.
Fillimisht për ish Prokurorin e Përgjithshëm dyshohej për katër vepra penale, por në përfundim të hetimit SPAK ngriti ndaj tij vetëm akuzën për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. Adriatik Llalla u largua nga detyra në përfundim të mandatit në dhjetor të vitit 2017.