Celibashi: Kush cënon votën rrezikon 7 vite burg, rezultati brenda 48 orësh
Komisionerët duhet të mendohen mirë me 25 prill nëse do t’ja vlejë të mbushin kutitë e votimit në favor të partive, përballë mundësisë së dënimit.
Me ndryshimet ne Kodin Penal ata do të rrezikojnë deri në 7 vite burg. Komisioneri shtetëror Ilirian Celibashi paralajmëroi se për çdo dyshim të mundshëm të rezultatit KQZ do të kërkojë të hapë kutitë.
"KQZ nuk do tolerojë në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast asnjë prej atyre komisionerëve të cilët duan të vënë në provë forcën e ligjit për çfarëdolloj arsye. Pas procesit zgjedhor, kushdo që do të kërkojë hapjen e kutive të votimit KQZ do t'i hapë dhe do t;i bëjë një rivlerësim atyre fletëve të votimit," tha Celibashi.
Pavarësisht pengesave artificiale që mund të krijojnë partitë politike nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, Celibashi i ka vënë sfidë vetës që rezultati për subjektet do të dalë me 27 prill.
"E para uroj të kenë shëndet të plotë dhe të mos sëmuren dhe të lodhesn. Kjo historia e allishverisheve me rezultatin duhet të marrë fund. Rezultatin për subjektin zgjedhor duhet ta kemi brenda 48 orëve," tha ai.
5 ditë para zgjedhjeve, Komisioneri Shtetëror ka një apel të drejtpërdrejtë për Metën, Ramën dhe Bashën.
"Sa më të qetë të shfaqen ata para kamerave aq më mirë kontribuojnë para mbështetësve të tyre," tha Celibashi.
Përveç emigrantëve të cilët Komiteti teknik i ka “dënuar” me dy javë karantinë, as të shtruarit në spitalet covid nuk do të votojnë.
"Në asnjë prej spitaleve nuk janë ngritur qendra votimi sepse nuk duam të vëmë në rrezik të komisionerëve dhe të personelit që do përfshihet," tha Celibashi.
Efektivët e uniformave blu nuk do të mund të votojnë në qendrat ku do të jenë me shërbim.
"Ata votojnë në qendrën e tyre të votimit, por mbetet në mënyrën e menaxhimiit të drejtorisë së policisë," tha Celibashi.
Kompania sllovene i ka dorëzuar fletët e votimit për 12 qarqet e vendit. Ndërsa KQZ ka nisur shpërndarja e pajisjeve të identifikimit si dhe kamerave në KZAZ-të e vendit.
“Procesi i nxjerrjes së rezultatit do të jetë një proces që nuk do të ketë probleme. Komisionerët janë të ndërgjegjësuar për penalitetet nëse sjellja e tyre do të jetë në kundërshtim me detyrën që ata kanë.
Nuk do të tolerojë komisionerët që duan të vënë në provë forcën e ligjit për asnjë lloj arsye. Ka sanksione të ashpra që përpiqen të cënojnë integritetin votës së qytetarve. Jua garantoj që do të evidentojmë të gjitha rastet dhe do të ketë përgjigje në përputhje me ligjin.
Celibashi tha se po punojnë që rezultati për subjektet zgjedhore të dalë brenda 48 orësh.
"Jam I sigurtë që qoftë partitë apo komisionerët e kanë kuptuar se tashmë nuk do të kenë luksin të bëjnë lodra lidhur me nxjerrjen e rezultatit. Do të mbikqyrim KQZ dhe nëse do të ketë raste kur komisionerët sillen në kundërshtim me përgjegjësitë e tyre nuk do të kursejmë ti tregojmë vendin. Historia e allishdervish nuk do ketë më"
Sot mbërrijnë fletet e votimit për qarkun Shkodër e Berat.