Krimet zgjedhore/ SPAK po verifikon 20 kallëzime të opozitës, 7600 policë për zgjedhjet

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar disa nga kallëzimet e depozituara nga opozita për krimet zgjedhore. Që prej një jave disa nga prokurorët kanë zbritur në terren për të verifikuar çdo denoncim. Ndërkohë policia do të angazhojë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve 7600 efektive. 

Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, në Prokurorinë e Posaçme janë depozituar deri tani 20 kallëzime nga opozita që denoncojnë krimet zgjedhore. 

Zyrtarisht bëhet me dije se kallëzimet janë depozituar jo vetem nga subjektet politike, por edhe Presidenca. 

Ato kanë të bëjnë kryesisht me përdorimin e administratës në fushatë, të shpërndarjes ndihmave apo të shpërblimeve të tjera në këmbin të votës.

Kallëzimi me i fundit eshte ai për përdorimin e të dhënave personale për arsye elektorale. 

Mësohet se SPAK ka regjistruar disa nga prej tyre, për të cilat ka nisur edhe hetimi, ndërsa do të dalë me një njoftim zyrtar lidhur me çështjet.

Mësohet se nga fillimi i kësaj jave disa nga prokurorët e SPAK, kryesisht të sektorit të korrupsionit kanë dalë në terren për të investiguar çdo rast denoncimi. 

Edhe Policia e Shtetit ka rritur shkallën e gadishmërisë dhe ka hartuar një plan masash për situatën e zgjedhjeve, i cili është vënë në zbatim.

Shkalla më e lartë e gadishmërisë do të vendoset ditën e premte kur instucionet e rëndësisë së veçantë do të merren në mbrojtje nga ushtria. 

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të angazhohen rreth 7600 efektive.