“Kryemadhi s’del deputete nga Elbasani”, Balla: Marrim mbi 74 mandate, 9 prej tyre në Elbasan
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së dhe njëkohësisht kandidati për deputet, Taulant Balla deklaroi në emisionin PolitikOn në RTV Ora se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të marrë asnjë mandat në Qarkun e Elbasanit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
“Basti” i Ballës në studion e PolitikOn ishte se Monika Kryemadhi, e cila kryeson listën e LSI-së në Elbasan nuk do të dalë dot deputete nga ky qark.
“Monika Kryemadhi u zgjodh në 2017 në Elbasan, një ditë të bukur, me një bilanc vetëm një çizme të hedhur mbi qeverinë, u largua nga parlamenti pa iu marrë lejë atyre që e kanë votuar. Po iu them sot këtu që Monika Kryemadhi nuk do të ketë një mandat nga Elbasani si deputete dhe nuk di ku kandidon tjetër. LSI-ja nuk merr mandate në Elbasan. Kjo nuk është deklaratë e madhe, është thjesht një realitet që do të ndodhë, kështu që të hënën e 26 prillit, besoj që iu do jeni në studio, unë do jem në Elbasan, mund të më merrni në telefon dhe të më thoni që e fitova. Nuk ve bast se nuk i lejon ligji.” –u shpreh Balla.
I pyetur sesi do të dalë rezultati në rang kombëtar në zgjedhjet e 25 prillit, Balla tha se PS-ja do të fitojë mbi 74 mandate, ku 9 prej tyre, sipas tij, do i marrë në Qarkun e Elbasanit.
“Partia Socialiste e Shqipërisë merr një mandat të ri në 25 prill me 74 + mandate, ndërkohë që në Elbasan merr 9 mandate” tha sekretari i Përgjithshëm i PS-së.