"Thërrime për fermerët", Meta: Fondet për bujqësinë, 10 herë më pak se fatura për Becchettin
"Mosmbështetja e bujqësisë dhe e fermerëve, është e pafalshme dhe rrënja e braktisjes së fshatrave dhe e shpopullimit të vendit".
Kështu shprehet në një reagim të tijin në Facebook Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Sipas kreut të shtetit, edhe ato pak fonde për Bujqësinë janë 10 herë më pak se fatura që do ti paguhet Becchettit.
Ilir Meta: Mosmbështetja e bujqësisë dhe e fermerëve, është e pafalshme dhe rrënja e braktisjes së fshatrave dhe e shpopullimit të vendit.
Edhe ato pak fonde "mjerane" të përcaktuara nga buxheti për Bujqësinë dhe që janë 10 herë më pak se fatura, që do t'i paguhet Becchettit, harxhohen në pjesën dërmuese për spote, konferenca, panaire dhe "kotësira" korruptive.
Plot 60 përqind e parave të subvencioneve shkojnë për pagesa jo produktive. Ndërsa vetëm "thërrimet" përfundojnë te fermeret, të cilët të braktisur punojnë dhe prodhojnë me kosto 40% më të lartë se fqinjët në rajon.
Prandaj 25 Prilli, është referendum popullor për shumë më tepër para dhe mbështetje për Bujqësinë dhe fshatin.