BOOM: Veliaj çorodit Tiranën, taksitë me licencë pa vend parkimi

Pranë redaksisë së Boom u drejtua Xhemal Isaku, taksist në Bashkinë Tiranë.

Ai tregon se prej tetorit të 2019 kanë problem me parkimin.

Ai ka shërbyer në zonën e "21 Dhjetorit". Pasi u bë korsia e biçikletave, tashmë ai dhe kolegë të tij nuk kanë ku të parkojnë.

Edhe intervista është bërë brenda makinës, pasi s'kishte ku të parkonte. Ai thotë se nuk është kundra korsive të biçikletave, por duhet që edhe taksistëve tu caktohet një vend se ku të qëndrojnë.

"Rrimë parkojmë dyshe, ku të gjejmë vend. Ndërkohë edhe policia na gjobit. Rijmë vend e pa vend, nëpër qoshe pallatesh. Dhe punë nuk bëjmë sepse klientët aty ku parkojmë ne nuk vijnë. Parkim Tirana merr lekët e parkimit, 270 mijë lekë në vit. Në 2019 që u bë korsia nuk na u kthye për 3 muaj që s'kishim parkim. Për 2020 nuk e kam paguar. Problemi koronës thanë do falen, por nuk janë falur,  janë shtyrë nga prilli në korrik."

Kamera e Boom udhëtoi në zonën e "21 Dhjetorit" së bashku me shoferin e taksisë, për të parë a mund të gjendet një vend parkimi.

Në asnjë moment nuk Boom nuk gjeti dot parkim për taksinë.

Edhe në një vend që tabela thotë 2 taksi, shoferi shprehet se aty qëndron vetëm një dhe ngjitur me koshat e plehrave.

Ndërkohë, kolegët e z. Xhemal i gjen në zonën e "21 dhjetorit".

"Ne po punojnë për gjobat. Bashkia duhet të na përcaktojë parkimin. Nuk kemi mundësi të punojmë lirshëm e me aq pak që fitojmë."

Boom shkoi në Parkim Tirana ku dorëzoi një kërkesë zyrtare se cila është zgjidhja që Bashkia Tiranë u jep taksive të licencuara nga Bashkia Tiranë, për të parkuar.