Vaksinimi/ Rama: Shqipëria po fiton betejën me armikun e padukshëm, vendet fqinje po përpëliten

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim elektoral në qytetin e Burrelit.

Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se nuk janë numrat në pjesëmarrje që tregojnë forcën, por numrat në votime.

Teksa u ndal te procesi i vaksinimit, Rama ia dha meritat të gjitha vetes duke u shprehur se Shqipëria po ecën më shpejt se edhe vende të tjera më të forta se Shqipëria.

“Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të bashkuar si shqiptarë siç kemi qenë ditën e parë ku u detyruam të mbyllemi për t’ia dalë deri në fund të kësaj lufte me armikun e padukshëm dhe ku më shpejt se shumë të tjetër po e shohim dritën që po zmadhohet në fund të tunelit. Shqipëria e tërë buzëqesh përsëri siç buzëqeshin sot me mijëra gjyshe dhe gjyshër që kanë bërë vaksinën.

Është një moment në jetën time ku me të vërtetë ndjej një kënaqësi të jashtëzakonshme dhe ku është një mundësi reale, shumë e prekshme për të kuptuar se sa e rëndësishme është që politika të bierë në duart e duhura. Ne jemi mësuar që ta trajtojmë politikën si një të keqe. Ne jemi mësuar që kur flasim për politikanë, për fat të keq,sikur po flasim për një gjë të keqe dhe një për një gjë jo të mirë. Rëndomë mes të rinjve ju dëgjoni shprehjen se është e kotë, politika është e pisët. Por politika është e vetmja armë që kanë njerëzit që kur kanë dalë nga pyjet dhe janë organizuar shtetet për të bërë gjërat që vetëm nuk i bëjnë dot që nga mbrojta e tyre, siguria e brendshme dhe të ndërtojnë infrastrukturën spitale e shkollat me kontributin e tyre. Pa politikën kthehemi në ujqër që hamë njëri tjerrin. Natyrisht që politika ka bërë gjëra të këqija gjatë historisë pasi ajo e ka pjellë edhe fashizmin e  nazizmin, por ka bërë edhe shumë gjera të mira për njerëzimin. Pa politikën kurrë nuk do të kishte marrë fund skllavëria dhe gratë nuk do të kishin pasur mundësinë që të kishin të drejta të barabarta”, tha Rama.

“Pa politikën Shqipëria nuk do të ishte sot duke bërë vaksinimin masiv. Sepse nëse vaksinimi do të ishte një gjë që do të bëhej vetvetiu por sot nuk është rastësi që Shqipëria po fiton betejën me armikun e padukshëm. Edhe më shpejt se plot të tjerë që janë më të mëdhenj e më të fortë se Shqipëria. Ndërkohë vendet fqinje përpëliten. Është politika që ka arritur këtë sukses.", shtoi kryeministri.