VIDEO/ Rama shfaq imazhe nga tuneli: Për Dibër nga Rruga e Arbërit

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në Facebook-un e tij imazhe nga punimet që vijojnë në Rrugën e Arbrit.

"Për Dibër nga Rruga e Arbërit. Edhe pak dhe ëndrra 100 vjeçare është realitet", shkruan mbi video shefi i qeverisë.

Me nisjen e punimeve të Rrugës së Arbërit, që pritet të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni, qartësohet dhe projekti nga ku do të kalojë ky korridor. Gjurma të cilën do të përshkojë ndërtimi i Rrugës së Arbërit, nis në lindje të qytetit të Tiranës, në anë të malit të Dajtit, vijon në Qafëmollë, Shëngjergj, Burrel, Klos, Bulqizë, Peshkopi dhe Dibër e Madhe (Maqedoni) që gjendet 5 km larg kufirit shqiptar.

Në këtë segment rrugor parashikohet ndërtimi i 15 urave të mesme dhe të mëdha, me gjatësi totale rreth 1500 m, ndërtimi i dy tuneleve, me gjatësi respektive prej 2600 dhe 560 m.

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit që lidhin Tiranën dhe Portin e Durrësit me Dibrën, Peshkopinë, Matin dhe Shkupin.