Vranë fqinjin për një vijë uji, vetëdorëzohet në policinë e Dibrës autori i dytë i krimit

Është vetëdorëzuar në Policinë e Dibrës, autori i dytë i vrasjes më armë zjarri të 50 vjeçarit, Xhetan Konesha, ngjarje e shënuar të martën nw Luzni të Dibrës. Altin dhe Muhamet Mera ekzekutuan fqinjin pas një konflikti për ujin e vaditjes.

Vihet në pranga autori i dytë i  vrasjes me armë zjarri të 50 vjeçarit Xhetan Konesha, në Luzni të Dibrës, krim i shënuar ditën e martë, dhe që si shkak besohet se kishte një konflikt për ujin e vaditjes.

Altin Mera u vetë-dorëzua rreth 24 orë pas ngjarjes, kohë gjatë të cilës siç njofton policia 42 vjeçari ka qëndruar i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan.

Lexo edhe: Qëllohet me kallashnikov nga dy vëllezërit, vritet 50-vjeçari në Dibër

Vrasjen, ai akuzohet se e kreu në bashkëpunim me të vëllanë Muhamet Mera, i cili u arrestua disa orë më pas, ndërsa vetë u arratis.

Por Këtë të mërkurë, siç thotë policia i gjendur në kushtet e pamundësisë për tu larguar Altin Mera ka dalë dhe është dorëzuar tek efektivët e Policisë që po ushtronin kontrolle në zonë.

Krimi sipas dëshmive ndodhi në sy të vajzës së 50 vjeçarit Konesha ndërsa shkak dyshohet një konflikt i vjetër mes familjeve për ujin e vaditjes.

Dy vëllezërit e qëlluan me automatik kallashnikov fqinjin, i cili ndërroi jetë në spital për pasojë që kishte marrë.

Sipas banorëve të zonës, dy vëllezërit i kishin prerë tubat e vaditjes Xhetan Koneshës, por policia e Dibrës thotë se ende po punohet për të zbardhur shkaqet e konfliktit mes dy familjeve.