Plagosja e trefishtë në Mamurras, 4 të arrestuar. Mes tyre polici që i plagosi
Punonjësi i policisë, David Medani, që plagosi me armë dy kolegë dhe një person tjetër pas një konflikti në qendër të Mamurrasit është arrestuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Në prangat janë vënë edhe Gjon Fufi, Rudolf Fufi e Nikoll Fufi (Vorfi) i cili mbeti i plagosur gjatë përplasjes me uniformat blu.
Hetimet kanë zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes që përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit.
SHÇBA thotë se tre personat e arrestuar i kishin bërë pritë punonjësve të Policisë së Shtetit pasi në orët e paradites ata kishin ushtruar kontroll në një lokal me dyshimin se kishte lojëra fati të paligjshme.
Gjatë kontrollit efektivët e policisë janë kundërshtuar nga Nikoll Vorfi i cili është shoqëruar në Polici dhe më pas është lënë i lirë.
Por duket se anëtarët e fisit Fufi nuk e kanë lënë më kaq ngjarjen.
Lexo edhe: U plagosën në Mamurras nga kolegu, dy policët te Trauma për mjekim
Rreth orës 13:50, kur punonjësit e policisë kishin ndërruar turnet e shërbimit, vëllezërit Fufi u kanë dalë para dhe janë konfliktuar me ta duke i goditur.
Në këto kushte, thotë SHÇBA efektivi David Medani në kushtet e vetëmbrojtjes, ka nxjerrë armën e zjarrit i ka paralajmëruar dhe më pas ka qëlluar në ajër.
Por sipas variantit zyrtar të ngjarjes, për shkak të goditjes me sende të forta polici David Medani ka bërë qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi dhe dy kolegët e tij Ilir Zeka dhe Flamur Lleja.
Të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës ku burimet mjekësore thonë se janë jashtë rrezikut për jetën.
Siç shpjegon SHÇBA, ai tashmë akuzohet për veprat penale “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia.”
Ndërsa tre anëtarët e fisit Fufi akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” në bashkëpunim.
Lexo edhe: Zbardhet plagosja në Mamurras, polici qëlloi dy kolegët dhe një prej vëllezërve Fufi pas konfliktit
