Basha: Me 25 prill shqiptarët vendosin nëse do të ecin 4 vite të tjera me dështime apo drejt integrimit evropian
Në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në Tempora në RTV Ora, kreu i PD-së, Lulzim basha u shpreh se 25 Prilli është dita e shqiptarëve dhe vendimi u takon atyre.
Basha tha se vota do të vendosë nëse do të vazhdohet edhe 4 vjet të tjera në rrugë dështimesh, mbetje në vend, rrënimesh, gënjeshtrash, emigracioni, papunësia, apo do të vendoset me votë për ndryshimin që do t’i hapë rrugë Shqipërisë për të ecur drejt integrimit evropian.
Sonila Meço: Këtë pyetje mund t’jua bëj unë juve. Ky ndryshim i cili pritet të vijë, natyrisht nuk e keni ju në dorë, e kanë shqiptarët me votën e tyre por ku ndryshon kjo fushatë e 2021 nga ajo e 2017?
Lulzim Basha: Kjo që sapo thatë, nëse mund të ndalem vetëm një moment. Kjo është e vërtet e dytë më e madhe në kësaj fushate, detyra ime, detyra e kandidatit për kryeministër e ekipit tonë të cilët po e bëjmë ditë për ditë, do ta bëjmë edhe pas kësaj interviste me banorët e Vilë Bashtovës. Ajo që thatë në fillim është shumë e rëndësishme. Vendimi është në dorë të shqiptarëve dhe ky është një mesazh të cilin unë e përsëris çdo ditë sepse 25 Prilli është dita e shqiptarëve. Është dita e qytetarëve,është dita e shqiptarëve,e popullit. Nuk është dita e partive politike.
Nuk është dita e udhëheqësve politikë. Është dita e vetme ku shqiptarët me votë kanë përgjegjësinë për të vendosur dhe përgjegjësia do të jetë e tyre. Vota do të jetë për ta dhe familjet e tyre. Do të vazhdohet edhe 4 vjet të tjera në këto rrugë 8-vjeçare dështimesh, mbetje në vend, rrënimesh, gënjeshtrash, emigracioni, papunësia, apo do të vendoset me votë për ndryshimin që do t’i hapi rrugë Shqipërisë për të ecur drejt integrimit evropian, Shqipërisë për të patur rritje ekonomike njësoj si vendet e tjera të rajonit, vende pune dhe mirëqenie për familjet dhe fëmijët e saj.