Zyra e Komisionerit nis hetimet për nxjerrjen dhe përdorimin e të dhënave personale
Zyra e Komisionerit nis hetimet lidhur me nxjerrjen dhe përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve të bëra publike nga mediet.
Zëdhënësi i zyrës së komisionerit, Redi Skënderaj informon se që prej fatës 1 janar 2021 institucioni ka administruar vetëm dy ankesa nga qytetarët që kanë si objekt thirrjet e pa kërkuara telefonike në kuadër të fushatës zgjedhore.
Skënderaj: "Zyra e komisionerit është institucioni monitorues dhe mbikëqyrës i ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në këtë cilësi autoriteti vlerëson rastet e cenimit të privatësisë dhe keqpërdorimit të të dhënave personale të qytetarëve.
Zyra e Komisionerit ushtron të drejtën e shqyrtimit apo të hetimit administrativ mbi bazë ankese të depozituar nga një qytetar për çështje që kanë interes apo sensibilitet publik.
Në lidhje me rastin që u njohëm nga publikimet mediatike, po bëhen të gjitha vlerësimet e nevojshme ligjore për administrimin zyrtar të dokumentacionit, informacionit apo provave të nevojshme për shqyrtimin e rastit.
Zyra e Komisionerit disponon dhe vendos vetëm mbi provat. Vendimmarrja e Komisionerit në çdo rast do të jetë publike.
Institucioni ka administruar prej datës 1 janar 2021 vetëm dy ankesa nga qytetarët që kanë si objekt thirrjet e pa kërkuara telefonike në kuadër të fushatës zgjedhore. Për të dyja rastet po kryhen procedurat përkatëse ligjore në kuadër të hetimit. "