Analistët: Në Elbasan ka diferencë të vogël mes PD dhe PS
Si ju duket rezultati i Elbasanit?
Në studion e emisionit “Tempora” po analizohen rezultatet e sondazhit të katërt të Antonio Notos e RTV.
Analistët mendojnë se në Elbasan PD dhe PS janë baras, por janë të pavendosurit ata që mund të përcaktojë rezultatin.
Dritan Hila:" Shumatorja e opozitës në 2017 është 54%, ndërkohë e PS është 45%, dhe dihet se si veproi sistemi dhe nxori Partinë Socialiste më shumë deputetë. Ndërkohë që kjo shumatore në vitin aktual është më lart për PS, rreth 47% dhe më e ulët për opozitën.
Kemi parti tjetër e cila në një farë mënyre edhe po t'i shtohet opozitës kam frikë se do prodhojë të njëjtin rezultat.
Mbetën ende të pavendosurit, të cilët jo domosdoshmërisht hyjnë te thesi opozitar.
Partia Demokrate po lufton që të marrë elektoratin e vet, në të gjithë qarqet por edhe në Elbasan.
Besoj që qeveria e re, nëse PD fiton nuk do ketë nevojë për votat e LSI kjo marrëveshje nuk do jetë si ajo që bëri Berisha në 2009, ku u detyrua të jepte 4 ministri. Prandaj them që kjo është strategjia që po ndjek PD."
Artan Hoxha:" Në Elbasan ngatërrohen pak punët nëse i referohemi rezultatit të 2017.
Nëse i referohemi sondazhit të 23 shkurtit, shohim se Aleanca e PD ka funksionuar dhe në Elbasan, i mbledhë votat e partive përbërëse, dhe e dyta është që LSI-ja mbahet me një ndryshim shumë të vogël nga sondazhi i kaluar.
Kjo do të thotë që mund të presim një ngushtim më të madh të diferencës mes PS dhe PD dhe nëse LSI mbetet këtu ku është, opozita mund të marrë më shumë mandate. Për momentin duket si barazim."
Aleksandër Çipa:" Të dyja partitë pretendojnë mandatet e partive të treta dhe të katërta sidomos Partia Socialiste dhe këtu kam parasysh dhe deklaratat e protagonistëve kryesorë të saj.
Loja përcaktuese bëhet te forcat e treta dhe të katërta."
Afrim Krasniqi:" Duhet të kemi parasysh që për të marrë një mandat atje duhen 7% të votave. Në partitë e mëdha Elbasani duhet të ishte prioriteti kryesor i partive të opozitës, edhe për arsye se kemi pasur politikanë të lidhur me krimin. Ky sondazh na tregon që palët kanë maksimalizuar prurjet e tyre, por nuk kanë ndryshuar raportet. PS lufton për mandatin e 7,7 ndërkohë që PD lufton për 6-7. Realiteti duhet të ishte krejt tjetër sepse në Elbasan ka një nivel shumë të lartë papunësie."