Tjetër gropë me diametër 10 metra shfaqet në Sarandë
Me një diametër 10 metra, dhe 6 metra e thellë, gropa e parë u shfaq në fund të marsit duke ngjallur kuriozitetin për një fenomen të rrallë.
Pak ditë më parë, disa metra më tej është shfaqur një e tjetër.
E reja ka një diametër prej rreth 8 metrash dhe përllogaritet të jetë rreth 6 metra e thellë dhe është e mbushur me ujë.
Shfaqja e gropës së dytë përforcon dyshimin se fenomeni i fundosjes së tokës po vijon në zonën ku dikur ndodheshin minierat e kripës me tre galeri.
Fillimisht banorët e tashmë edhe bashkia e Finiqit ka pranuar rrezikun.
Ata kanë kërkuar një ekspertizë nga gjeologë për të vendosur për masat që duhen marrë për të mos rrezikuar jetën e banorëve të zonës por dhe qindra udhëtarë që kalojnë çdo ditë në rrugën nacionale Sarandë Gjirokastër.