Gjiknuri në lagjen Çole: Vota për Partinë Socialiste është votë për të ruajtur stabilitetin
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri, shoqëruar nga deputetët aktualë Vilma Bello e Fate Velaj dhe kandidati Ilir Metaj zhvilluan një takim me një grup banorësh në lagjen Çole.
“Ne duhet të jemi krenarë për projektin politik-ekonomik që Kryeministri Edi Rama ka patur për Vlorën dhe që po e bën realitet. Zhvillimet e shumta që po ndodhin në Vlorë, përfshi dhe lagjen Çole janë dëshmi konkrete që premtimet ne i kthejmë në punë reale.
Lagjia Çole po njeh ndryshime të dukshme me qëllim urbanizimin e kësaj zone, njësoj siç është bërë qendra e Vlorës. Mandati i tretë qeverisës do të jetë pikërisht për investime të mëtejshme në këto zona.
9 mandatet që Partia Socialiste do të marrë në zgjedhjet e 25 prillit do të jenë tregues i mirënjohjes së vlonjatëve ndaj punës së bërë, investimeve konkrete dhe transformimit rrënjësor të Vlorës në këto dy mandate qeverisëse”, u shpreh Gjiknuri.
Në fjalën e tij para banorëve, Gjiknuri deklaroi se vota e 25 Prillit duhet të jetë një votë për të garantuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e projektit politiko-ekonomik të qeverisë për Vlorën.
“Vota për Partinë Socialiste është votë për garancinë, për stabilitetin. Vlorës nuk i duhen eksperimentet, si qytet që e ka vuajtur më shumë keqqeverisjen ndër vite, duke u lënë në harresë nga ata që sot pretendojnë të vijnë në pushtet.
Me votën për Partinë Socialiste, për Edi Ramën, për këtë qeverisje, ne do të bëjmë më shumë për Vlorën, duke ruajtur stabilitetin, pasi vetëm kështu mund të çojmë përpara progresin që kemi nisur.
Kemi një ekip shembullor në Vlorë, njerëz që jetën e tyre e kanë të lidhur me Vlorën. Ky ekip i kombinuar është garancia e suksesit. Vota për numrin 12, Për Partinë Socialiste është votë për të gjithë ekipin socialist në zgjedhjet e 25 prillit”, theksoi Gjiknuri.