"Patrioti dhe edukatori ynë antifashist", Meta mesazh ngushëllimi për Kolonel Rustem Peçin

Presidenti i Republikës Ilir Meta, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, shpreh dhimbjen e tij për lajmin e ndarjes nga jeta të ushtarakut veteran, Kolonel Rustem Peçi.

Sipas kreut të shtetit, "kam patur fatin ta njoh nga afër punën dhe angazhimin e tij të palodhur në mbrojtje të idealit të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe nuk mund të mos shpreh hidhërimin e madh të ndarjes së tij nga jeta në prag të përkujtimit të 7 prillit, kësaj dite të trishtë për historinë tonë, por edhe nderimi për nisjen e rezistencës heroike të ushtarakëve patriotë".

Mesazhi i plotë i Presidentit:

Me shumë dhembje e trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të antifashistit, patriotit, ushtarakut dhe veteranit, Kolonel Rustem Peçi.

I edukuar me dashurinë për Atdheun, që në moshë shumë të re ai u aktivizua për Çlirimin e Shqipërisë, për t’i shërbyer me përkushtim vendit pas Luftës, në të gjitha detyrat e larta shtetërore me të cilat u ngarkua dhe për të vijuar, si Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, me kontributin e tij të shkëlqyer për edukimin e gjeneratave të reja me ndenjat e atdhedashurisë dhe patriotizmit, si dhe me mbajtjen gjallë të vlerave antifashiste.

Kam patur fatin ta njoh nga afër punën dhe angazhimin e tij të palodhur në mbrojtje të idealit të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe nuk mund të mos shpreh hidhërimin e madh të ndarjes së tij nga jeta në prag të përkujtimit të 7 prillit, kësaj dite të trishtë për historinë tonë, por edhe nderimi për nisjen e rezistencës heroike të ushtarakëve patriotë.

Duke ndarë dhembjen me familjen Peçi, miqtë dhe të gjithë anëtarët e Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera.

Patrioti dhe edukatori ynë antifashist Rustem Peçi do të kujtohet përgjithmonë me nderim, respekt dhe mirënjohje!