Qeveria u merr pasaportat diplomatike Kombëtares, Meta: Vendim i pabesë, një hakmarrje primitive

Pasaportat diplomatike të dhëna për kombëtaren shqiptare më 22 qershor 2016, janë kthyer në një çështje të ditës mes futbollit dhe politikës. Për më tepër, që Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme kërkon dorëzimin e dokumenteve brenda qershorit., sepse sipas saj, skadon vlefshmëria.

Lidhur me këtë vendim reagon edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili e quan një vendim të pabesë, i paprecedentë dhe hakmarrës.

Lexo edhe: Basha “9”-ta e Shqipërisë, Kombëtarja dhuratë speciale për kreun e PD

Ilir Meta: Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin.

Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë, kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë.

Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese.

Ky vendim i Qeverisë ende në detyrë do të përmbyset dhe nderimi për kuqezinjtë, që na çuan në Europë do të mbetet i pacenuar.

Lidhur me këtë vendim të qeverisë reagoi më herët edhe ish trajneri i Kombëtares Gianni De Biasi:

“Më duket absurde. Pasaporta ime diplomatike skadon në vitin 2026, pse duhet ta dorëzoj 5 vite më parë?”

Një shkresë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ka mbërritur tashmë në zyrat e FSHF-së dhe kërkohet që të dorëzohen pasaportat diplomatike brenda datës 1 qershor 2021, pasi sipas saj, mbaron vlefshmëria e tyre.

Pasaportat diplomatike u dorëzuan nga kryeministri Edi Rama më 22 qershor 2016, në një ceremoni pompoze ku stafi i Kombëtares u prit në një atmosferë feste në Tiranë.