Rama: Taksë e sheshtë për mullaqet e Lulit, që të flejë gjumë në Kryeministri?

Gjatë takimit elektoral në Bilisht, kryeministri Edi Rama përveç se foli për ecurinë e vaksinimit në vend, nuk kurseu sulmet dhe bullizmat ndaj opozitës dhe liderit të saj Lulzim Basha.

Edi Rama: “Ne jemi për të dhënë më shumë, por si jepet më shumë me Vebiun apo me Suden, apo me Haxhi Qamilin, apo me Saliun dhe me Ilirin? Jo, më shumë jepet me punë e me këmbëngulje, jo me gjumë e duke folur përçart e duke fjetur në këmbë. Kjo nuk është politikë për vitin 2021, është politikë për kohërat e qepës.

Do fusin këta Shqipërinë në BE? Me se do e fusin me tramvajin e Tiranës, apo me djathë e me salcë? Qesharakë komplet. Në 25 prill nuk diskutohet kush fiton. Problemi nuk është kush fiton si parti, se fiton PS, por problemi është si fitohen luftërat, si fitohen betejat”.

Lexo edhe: Rama: Ato që kemi bërë janë para syve të të gjithëve, kush ka sy i shikon…

Sipas kryeministrit, PD është një shalqi i provuar tashmë dhe ka rezultuar kungull.

Edi Rama: “Çfarë kërkon një demokrat?! Kërkon për mustaqet e Saliut dhe mullaqet e Lulit të paguajë taksë të sheshtë që të flejë gjumë në Kryeministri? Ka kuptim kjo. Fleta e votimit nuk është biletë për të hyrë në stadium, është autorizim për interesat e tua. Ti mbaj edhe fotografinë e Lulit në mur, por votën jo, se të vjen taksa 9%. Duhet logjikuar në bazë të interesit. Në mbyllje mos harroni se fëmijët nuk votojnë, por cilido që është në moshë të votimit, voton edhe për fëmijët. Mos harroni që kur shkon të votosh, përveç asaj që mendon për vete, duhet të mendosh edhe për fëmijët e tu. Nuk ka nevojë të provohet 100 herë një shalqi që është provuar, dhe që është kungull, dhe sa herë ta provosh aq herë do konfirmosh që është një kungull".