Debati/ Saraçi: Po bëjmë Luljeta Bozon politikane si të mos bëjmë të rinjtë? Prifti: Të rinjtë të shijojnë jetën
A duhet të angazhohen të rinjtë në politikë? Kjo ishte tema e debatit në studion e Ditë e Re.
Kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi shprehet për Ditë e Re, se të rinjtë duhet të angazhohen politikisht.
Ai thotë se nëse të rinjtë nuk marrin arsimimin e duhur dhe nëse nuk marrin përgjegjësi të angazhohen në politikë për të dhënë pjesën e vrullit të tyre , ata kurrë nuk do të bëhën politikanë.
Saraçi thekson se të rinjtë nuk duhet të humbasin kohë, pasi dhe politika mësohet duke u angazhuar dhe duke qënë aktiv dhe jo duke brohoritur rrugëve.
"Në botë revolucionet janë bërë nga të rinjtë, liderat në Shqipëri kanë dalë prej të rinjve"- thotë ai.
Ndërkohë, pedagogu Rezart Prifti, replikon duke thënë se një popull nuk mund të merret me gjithçka kur do.
" Nuk mund të bëhen të gjithë politikanë siç janë sot ne Shqipëri. Të rinjtë duhet të shijojnë jetën, të bëjnë dashni , të shkojnë në shkollë dhe të punojnë"- thotë ai.
Ai shprehet se shoqëria shqiptare është kthyer në një shoqëri daulle. Gabimi që bëjmë- thotë ai- është se ne i shkojmë pas partive ndërkohë në botë ndodh e kundërta.
"Duhet të detyrohet partia që ti afrohet të rinjve".
Sipas pedagogut një ndër problemet kryesore në vendin tonë është mugesa e ideve nga të rinjtë.
"Ne nuk kemi treg idesh. Ne shkojmë si dasmorë pas partive", shprehet Rezart Prifti për Ditë e Re.