Bashkia Tiranë planifikon të ndërtojë 5 kulla në rrugën “Myslym Keta”, banorët kundër: Nuk kemi besim

5 kulla të reja pritet t`i shtohen kryeqytetit në muajt në vijim. Bashkia Tiranë planifikon të shembë 3 pallate në rrugën “Myslym Keta” duke ndërtuar mbi atë truall plot 5 kulla. Projekti u prezantua nga Ministri Arben Ahmetaj të shtunën por u kundërshtua nga banorët të cilët shprehen të vendosur për të mos dalë nga shtëpitë e tyre.

Gjatë mandatit të dytë, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj,  ka vetëm një objektiv, ndërtimin e sa më shumë kullave dhe betonizimin e çdo metri katror të kryeqytetit.

Në rrugën “Myslym Keta” bashkia planifikon të shembë 3 pallate për t`i hapur rrugën ndërtimit të 5 kullave 8-katëshe.

Plani u prezantua nga ministri, Arben Ahmetaj, në prani të një pakice banorësh, pasi shumica prej tyre refuzuan takimin.

Banorët thonë se projekti nuk u ofron garanci dhe besim, ndaj e kundërshtojnë.

"Kërkojmë siguri juridike në lidhje me të gjitha procedurat e kryera deri tani."

"Nuk kemi besim fare te kjo qeveri, këta i duan vetëm për përfitimet e veta. Edhe nëse prishet pallati, me qira nuk pranoj".

Ata kërkojnë që pallati i dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të verifikohet nga ekspertë të pavarur.

"Premtime elektorale nga ana e Ministrit asgjë më tepër, kërkoj me insistim të vijë një komision i pavarur ekspertësh që ta verifikopjë edhe njëherë".

Pallati numër katër në rrugën “Myslym Keta” u vlerësua i banueshëm dhe pa dëmtime në strukturë në dhjetor të vitit 2019 nga Instituti i Ndërtimit.

Një vit e gjysmë më pas Bashkia Tiranë ka marrë vendim për shembjen e kësaj ndërtese ku jetojnë mbi 90 familje duke u bazuar në një akt ekspertimi të hartuar në fshehtësi të plotë sipas së cilit objekti paraqet rrezikshmëri dhe duhet prishur.