Bulevardi i papërfunduar, Veliaj reklamoi punime sa për një "live" në facebook, qytetarët: Të mos vijë për vota
Edhe pse Kryebashkiaku Veliaj premtoi se do ta shndërronte Bulevardin e Ri i Tiranës në një zonë të ngjashme me Nju Jorkun, pas 6 vitesh kjo zonë jo vetëm që nuk ka asnjë përmirësim por ka marrë pamjen e një landfilli. Banorët fajësojnë kryebashkiakun Erion Veliaj ndërsa i kërkojnë atij që të mos shkojë të kërkojë votat pasi nuk ka mbajtur premtimin e dhënë.
"Do të ketë një park qëndror, rreth gjashtë herë më të madh se parku "Rinia", dhe me gjelbërim anash tij, duke u rikthyer në projektin origjinal".
Ky premtim i Kryebashkiakut të Tiranës gjatë fushatës elektorale se Bulevardi i Ri nga Stacioni i Trenit deri në lumin e Tiranës do të shndërrohet në një nga zonat më të rëndësishme të qytetit ka mbetur në letër, larg pamjeve të Nju Jorkut të cilave i referohej Erion Veliaj në zotimin e tij para qytetarëve.
Punimet rehabilituese të Bulevardit nuk kanë përfunduar siç u premtua, madje janë ndërprerë në mes.
Pas asfaltimit, rruga është lënë në mëshirë të fatit me gropa e baltë, ndërsa inertet e hedhura aty i japin zonës pamjen e landfilli.
Banorët e zonës fajësojnë kryebashkiakiakun Veliaj për këtë situatë.
"Lumi ka vetëm plehra dhe mbeturina, është turp i madh me i pa."
"Çfarë ndryshimi ka? A punon Bashkia? Gjithë koshat janë të hapur. Taksën e popullit a e merr ai?"
Thonë se premtimet e Veliajt janë bërë vetëm në kohë fushate.
"Tha do ta çoj te Bovilla, aty ku e ka lënë është.Bujën e bëjnë për fushatë, pse po e pret? Duhet ta kishte bërë para fushate me ardh me i kërku popullit votën.Pse pret 30 ditë, nuk bëhet gjë për 30 ditë."
"Tani del dhe bën fushatë për vota."
Qytetarët i kanë mbyllur derën Kryebashkiakut pasi thonë se nuk ka moral që Veliaj të shkojë më në zonë për të kërkuar vota.
"Ai vetëm e ka emrin se nuk do të marrë asnjë votë, asgjë. Me i bë thirrje nuk e pranon se i them largohu sa më parë."