Pranë spitaleve pa ndihmë, i sëmuri me dializë në pritje disa orë për shërbimin, ankesa edhe për Infektivin
Një vit nga shpërthimi i pandemisë, në ambientet e spitaleve Covid ka ende familjarë të që ankohen për mungesën e shërbimit. Disa prej tyre vonohen për kryerjen e dializës, madje i vonojnë me orë duke u përcjellë sa në një spital sa në një tjetër, ndërsa të tjerë denoncojnë për gjendjen brenda spitalit Infektiv, ku pretendojnë se u mungon trajtimi dhe kujdesi.
Afrim dhe Isuf Koçi, babë e bir, kanë pritur më shumë se tri orë në ambient e QSUT për të bërë dializën.
Isufi pak ditë më parë ka rezultuar pozitiv me Covid, dhe për të marrë shërbimin e dializës mjeku i ka drejtuar të spitali Covid 1 për të shmangur rrezikun e infektimit të stafit.
"Që mos të infektojë të tjerët thotë do ta bëjë 3-4 seanca dializë te Infektivi."
Por spitali Infektiv nuk e pranoi, duke e referuar drejt “Shefqet Ndroqit”.
"Shko hapi kartelë te Senatoriumi thotë. Një i sëmurë, të shkoj ti hapet kartela, unë nuk e kuptoj ku është sistemi në këtë mes!"
Me kalimin e orëve edhe gjendja shëndetësore u vështirësua.
"Te dera e spitalit jemi babi por nuk të merr kush."
Pas disa orësh, Urgjenca Mjekësore e shoqëron Isuf Koçin për te Infektivi, stafi i të cilit pas rezistencës së të birit, ofroi shërbimin e nevojshëm.
Jashtë spitalit Covid nuk mungojnë as familjarët e shqetësuar për gjendjen e të afërmve.
E ka të verbër të atin, dhe telefonata e fundit me të e ka shqetësuar këtë zotëri.
"Më thotë që as nuk më kanë ndërruar, as më kanë dhënë një lëng me pi, një ujë. Thotë më kanë lidhur këmbë e duar, kur ai është i verbër".
Sipas tij, ka munguar komunikimi edhe me mjeken kuruese.
"Nuk kam marrë asnjë informacion përveçse një herë që më ka thirrur doktoresha."
Por në komunikimin që bëri me të, siguruar nga Ora News, ajo i sqaroi situatën e të atit.
"Nuk është lidhur, çështje kjo?!"
Megjithëse u qetësua nga fjalët e mjekes, ai nuk mund të largohej nga spitali Infektiv.
Aktualisht në strukturat spitalore janë të shtruar mbi 250 pacientë, nga të cilët rreth 10 persona janë në terapi intensive.