Rama siguron edhe 50 mijë doza të vaksinës ruse, vijnë brenda 10 ditëve

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar arritjen e marrëveshjes për të sjellë në Shqipëri 50.000 doza të tjera të vaksinës Sputnik brenda 10 ditëve.

Në një postim në facebook, Rama thotë se ne ne do ta fitojmë këtë luftë me forcën e karakterit e të kembënguljes sonë dhe do ta lemë shpejt pas tunelin e pandemisë, ku drita e daljes sa vjen e zmadhohet.

Në fund të marsit Rama pati njoftuar se qeveria e tij ka siguruar edhe 50 mijë vaksina të tjera Astrazeneca, jashtë marrëveshjeve të deritanishme.

Procesi i vaksinimit vijon masivisht me grupmoshën 70 vjeç plus, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë përgatitet që javën e ardhshme të hapë vaksinimin e grupmoshës  65 vjeç plus dhe të sëmurëve kronikë. 

Një ditë më parë Manastirliu njoftoi mbërritjen e sasive të reja të vaksinave javën e ardhshme dhe zgjerimi i grupmoshave në proces.

“Kemi bërë një distribucion 100% të vaksinave, Sputnik dhe Sinovac. Javën e ardhshme presim të kemi sërish vaksina Pfizer dhe serinë e ardhshme të të Sinovac-ut javën që vjen, për të hapur grupmoshën e fashës 65 plus e ndoshta 60 plus me të sëmurët kronikë”, – deklaroi ministria Manastirliu.