“Pishinë e vogël” në mes të rrugës së shkatërruar "Bedri Karapici", banorët: Vinë vetëm për vota, punë fare
Kjo është rruga "Bedri Karapici". Përpara nuk keni një liqen, por një gropë të madhe e mbushur me ujë.
Në të gjithë këtë segment, vetëm gjysma është e shtruar ndërsa pjesa tjetër ka vetëm gropa dhe asfalt të dëmtuar.
Kalimi i banorëve dhe automjeteve është i vështirë. Sipas tyre, kjo situatë vijon prej vitesh, ndërkohë nga ana e autoriteteve vijnë vetëm për të kërkuar vota.
"30 vjet kam në këtë lagje dhe nuk është bërë asgjë. Vetëm kemi paguar taksa çdo lloj partie dhe bashkie, asgjë nuk kanë bërë. Për votat po, kanë ardhur të kërkojnë votat".
"Rrugën siç e shikoni, premtime shumë por çfarë po bëjnë. Kemi blerë 100 e ca milion lekë hyrjen dhe jemi akoma katastrofë."
Edhe rrugët e lagjeve janë në të njëjtën gjendje, ku në kohë me shi detyrohesh të veshësh çizme.
"Nuk është shqetësuese, ne jemi mësuar me baltë, Tirana baltë është. Nuk ka nevojë për asfalt. Premtime ka sa të duash por faktet tregojnë vetë."
"Kemi paguar nga 50 mijë lekë tërë lagjia dhe ja kështu."
E gjithë zona përreth ka dhe mungesë të vendeve të parkimit. Pavarësisht se sinjalistika dikton se nuk lejohet parkimi në dy anët e rrugës, siç mund ta shihni nga pamjet në video ajo nuk zbatohet.
Bllokimi i njërës prej anëve të këtij aksi nga makinat e parkuara e vështirëson më tej lëvizjen e automjeteve.