Ura e Malecajve në Lezhë po shembet, 1500 banorë rrezikojnë izolimin: Nuk është vënë dorë kurrë

1500 banorë të dy fshatrave në zonën e Torovicës në Lezhë rrezikojnë izolimin, pasi ura që i lidhë me pjesën tjetër rrezikon të shembet.

Struktura kishte pësuar çarje prej disa vitesh, ndërsa një pjesë e saj është shembur nga reshjet e shiut të dy ditëve më parë.

Banorët thonë se aty nuk ishte vënë kurrë dorë që prej ndërtimit në vitet 1970, ndërsa akuzojnë se dëmtimet ia shkaktuan mjetet e tonazhit të rëndë.

"E kanë shembur kamionët e mëdhenj, kurse tani ka 2-3 ditë që është shembur krejtësisht," thotë banori.

Përballë kësaj situate banorët e fshatrave Maleçaj dhe Koljakaj kërkojnë ndërhyrje për të shmangur rrezikun e izolimit.

"Në qoftë se shembet këtu do të kenë edhe rrezik për jetë njerëzish, zona do të izolohet komplet. I bëj thirrje shtetit që të vihet dorë sa më parë te kjo urë, të vijë një inxhinier i mirëfilltë të shikojë sepse këtu kalojnë edhe mjete të tonazhit të rëndë," thotë një tjetër.

Pas alarmit të ngritur nga banorët, policia ka vendosur këtë të shirit si tregues të rrezikut, ndërsa pritet ndërhyrja e autoriteteve vendore.