Fëmijët autikë pa terapi, Bajrami: Nuk ekziston mësimi online, mësuesit ndihmës i trajnojnë në hotele, pinë kafe e hanë drekë
Drejtoresha e Klubit Kombëtar të prindërve me fëmijë të spektrit autik, Egla Bajrami, ka thënë se fëmijët autik, nuk kanë mundur të zhvillojnë mësimin gjatë kohës së pandemisë, duke shtuar se kjo periudhë ishte shumë e vështirë për ta.
Në një intervistë që ka dhënë në edicionin e lajmeve në Rtv Ora , Bajrami ka thënë se gjatë kësaj peridhe nuk janë zhvilluar as terapitë, sakaq ka shtuar se prindërit që kujdesen për ta nuk marrin aq sa u takon.
Ajo ka thënë se në vendin tonë nuk ka një statistikë se sa është numri i fëmijëve me spektrin autik, sakaq ka thënë se shkollën e frekuentojnë 4961 fëmijë te cilët janë deklaruar se janë autik.
Si ka ndikuar pandemia tek personat autik?
Egla Bajrami: Bëri regres, ishte një periudhë shumë e vështirë, mësimi online për këta fëmijë nuk ekziston. Më 2 prill të një viti më parë ne bënë një kërkesë te Ministria e Shëndetësisë dhe për fat të mirë morëm leje që këta fëmijë të dilnin dy ose tre orë në ditë. Ishte e pamundur t'i mbaje brenda, ata nuk e dinin se çfarë ishte virusi.
Çfarë ndodhi me terapitë?
Egla Bajrami: Pjesa më e madhe e tyre nuk janë kryer, terapitë online nuk funksionojnë. Qendrat që funksionojnë nuk kanë filluar akoma, nuk është vënë një protokoll.
Keni kërkuar që të vendoset një protokoll?
Egla Bajrami: E kanë kërkuar qendrat që e ofrojmë. Në lobojmë që qendrat të bëhen nga shteti dhe të jenë falas dhe jo me para.
Keni bërë ndonjë kërkesë që të keni një ndihmë për këta fëmijë?
Egla Bajrami: Kemi hedhur ide që qeveria të japë një çek të specifikuar, vetëm për fëmijët. Na kanë thënë që do e diskutojmë pas zgjedhjeve.
Çfarë u diskutua sot më mbledhjen e Ministrisë së Shëndetësisë?
Egla Bajrami: U diskutua dhe problemi i kujdestarisë. Kujdestaria në ligj nuk thuhet që kujdestaria të quhet ndihmë ekonomike, kjo ndodh vetëm në Shqipëri, ndërkohë kujdestaria në ligj quhet vit pune. Kujdestaria e fëmijës duhet të ketë të njëjtën rrogë pune. Kjo gjë i deskriminon edhe moshën e tretë. Kemi bërë ankesë po na kanë thënë se është kosto shumë e madhe.
Po në shkolla si funksionon, a ka kushte?
Egla Bajrami: Nuk është kuptuar koncepti i mësuesit ndihmës. Mësuesi mbështetës është që të ndihmojë mësuesin e përgjithshëm për të zhvilluar normalisht mësimin. Në shumë raste mësuesit nuk e duan mësuesin ndihmës.
Dhe nuk është bërë asgjë?
Egla Bajrami: Nuk jepet drejtimi sepse trajnimet i bëjnë në hotele, me diplomatë, ne i kemi thënë Besa Shahinit se nuk i duam mësuesit që trajnohen nëpër hotele po i duam aty ku janë nxënësit autikë. Mësuesit shkojnë pinë një kafe, hanë një drekë dhe marrin një Certifikatë, por ndërkohë nuk janë trajnuar.
Sa është numri i fëmijëve me spektrin autik në Shqipëri?
Egla Bajrami: Nuk ka statistika, ose të paktën nuk na i kanë dhënë. Por sipas investigimeve tona ne Tiranë, janë 2300 të deklaruar vetëm me autizëm. Në Shqipëri në total mund të jetë deri në 5000 të deklaruar. Por duke marrë parasysh raportin me popullsinë vetëm në Tiranë mund të jenë deri në 10 mijë. Ndërkohë arsimin deri më tani me autizëm e frekuentojnë 4961 të deklaruar, ndërkohë të padeklaruar ndërkohë të padeklaruar mund të jenë shumë. Kemi hasur prindër që nuk tregojnë se kanë fëmijët autik se nuk duan që ta marrin vesh të tjerët.
Cilët janë shkaqet kryesore që shkaktojnë autizmin?
Egla Bajrami: Një nga shkaqet kryesore është ushqimi.
Kur mund ta kuptosh se një fëmijë është autik?
Egla Bajrami: Që në moshën 2 vjeç e lartë, është shumë ë rëndësishme diagnostikimi i hershëm, në mënyrë që fëmija të trajtohet dhe të marrë terapitë e duhura.