KESH, 111 mln lekë tendera për "Divitech", 4 prokurimet që i janë dhënë kompanisë nga Benet Beci rezultojnë pa garë

Tenderat e zhvilluar nga Korporata Elektro-energjitike Shqiptare u kanë siguruar disa kompanive miliarda lekë publike, shumica prej tyre në procedura pa garë.

Vetëm gjatë vitit 2020 kompania Divitech ka marrë nga institucioni nën drejtimin e Benet Becit më shumë se 111 milionë lekë pa TVSH.

Sipas të dhënave në Agjencinë e prokurimeve publike, këto fonde janë siguruar në 4 prokurime, të gjitha pa garë pasi ose konkurentët janë skualifikuar ose ai ka marrë pjesë i vetëm.

Kontrata më e madhe dhe për Divitech në vitin që lame pas është ajo për Rinovimin e sistemit të mbrojtjes për 2 agregatë, me një fond limit 65 milionë lekë.

Interes shfaqën 4 kompani, 3 prej të cilave u skualifikuan me argumentin se nuk kishin paraqitur dokumentacion e kërkuar.

Madje, një prej tyre kishte ofertuar 2.2 milionë lekë më pak se fituesi i cili e ka siguruar kontratën me ofertën 61.8 milionë lekë.

Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit “Divitech” është krijuar në dhjetor të vitit 2009 dhe ka tre ortakë.

Deri në gusht të vitit 2020 ky subjekt ishte vetëm nën zotërimin e Vivien Budo.

Më pas personi në fjalë i ka dhuruar 45% të aksioneve Renald Ristës dhe 10% Emirglen Canos ndërkohë që pjesën tjetër i zotëron akoma vetë.

KESH e drejtuar nga Benet Beci vetëm në vitin e pandemisë ka dhënë 1.3 miliardë lekë tendera, shumica e të cilëve pa garë.

Lexo edhe-Benet Beci 1.3 miliardë lekë tendera në 1 vit, shumica pa garë