Covid nxori 28 mijë të papunë, Xhepa: Zyrat e punës inaktive, qytetarët e kanë humbur besimin në shtet

Rreth 28 mijë persona humbën punën gjatë tre muajve të fundit. Qeveria në situate pandemie nuk pati politika rimëkëmbjeje.  Sipas ekspertëve të ekonomisë, zyrat e punës nuk u vijnë në ndihmë qytetarëve e për pasojë këta të fundit nuk kanë besim te shteti.

Situata pandemike jo vetëm që ka krijuar vështirësi në punësim, por shumë prej tyre e kanë humbur atë. Duke iu referuar dhe raportit zyrtar të INSTAT, në 3 mujorin e fundit të 2020 numërohen rreth 28 mijë qytetarë të papunë.

Më të goditur janë të rinjtë të moshave nga 15 deri ne 29 vjeç.

"Në tremujorin e mëparshëm kishim 1.250.000 të punësuar, në tremujorin e fundit kanë humbur vendet e punës rreth 28 mijë qytetarë. Në periudhën e mbylljes efekti ishte shumë më i fortë, më shumë se 60 mijë individë e humbën punën  përkohësisht."

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, e sheh burimin e problematikës  në strukturën e punësimit dhe në politikat afatshkurtra që janë ndjekur.

"Politikat afatshkurtra kanë qenë thjesht për të mbajtur dritat e biznesit hapur, njerëzit që kanë qenë të punësuar të vazhdonin të mbeteshin në borderot e kompanive nëpërmjet subvencioneve apo mbështetjes financiare që dha shteti. Por kur mendoj për vendet e punës duhet të flasim për politika më afatgjata që kanë të bëjnë kryesisht me klimën e biznesit në përgjithësi."

Në fakt sipas tij, ka një inaktivitet të zyrave të punës dhe për pasojë dekurajim  të qytetarëve.

Për të patur një përmirësim të shifrave të punësimit,  Selami Xhepa thotë se duhet një mbështetje më e madhe buxhetore.