Skandali me tenderat, 6.2 miliardë lekë për punë "(JO)emergjente"

Shqetësimit të ngritur prej kohësh nga Ora News për procedurat e ndjekura në tendera i bashkohet edhe Agjencia e Prokurimeve Publike.

Në raportin me të fundit konstatohet shqetësimi mbi prokurimet ku ka vetëm një konkurrent e si pasojë dhe fituesi

APP shprehet se janë konstatuar edhe kualifikime në kundërshtim me ligjin pasi subjektit i cili ka marrë pjesë i vetëm në garë i është besuar kontrata pavarësisht se ka pasur mangësi në dokumentacion.

Kontratat me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit, është një jetër problematikë. Edhe pse janë kritikuar shpesh për shkak të hapësirave që lënë për abuzime, institucionet i kanë vijuar me justifikimin e emergjencave.

Argument i Rindërtimit dhe pandemia janë rastet më të shpeshta por nuk kanë munguar as raste të tjera.

Në raport thuhet se  për vitin 2020 ishin në total 416 procedura të tilla me një fond limit prej 6.2 miliardë lekësh.

Nga ana tjetër, ofertat e paraqitura nga subjektet pjesëmarrëse në garë gjatë vitit të shkuar kanë qenë më të shtrenjta duke bërë që vlera të kapërcejë shifrat e vitit 2019.

Një tjetër çështje e prekur janë edhe kriteret e vendosura nga autoritetet, të konsideruara shpesh si të tepërta nga kompanitë por një gjë e tillë është konstatuar edhe nga APP.

Kjo e fundit thekson se institucionet vendosin kritere në mënyrë të paargumentuar dhe i hartojnë kërkesat e tyre në kundërshtim me ligjin e prokurimeve.

Sipas raportit gjatё vitit 2020 fondi total që ka shkuar për tendera ka pësuar një rritje të konsiderueshme prej më shumë se dyfishi i fondit tё publikuar nё 2019-n.