Raporti i Bankës Botërore: Ekonomia e Shqipërisë pësoi tkurrje në vitin 2020
Shqipëria në 2020-ën doli më e varfër nga fatkeqësitë natyrore dhe shëndetësore, dhe e ka të pasigurt të ardhmen e saj ekonomike.
Raporti më i ri i Bankës Botërore mori në analizë efektet që tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia e koronavirusit i solli prodhimit të brendshëm.
Ekonomia pësoi një tkurrje me 10,2 për qind në tremujorin e dytë, kryesisht si pasojë e goditjes së sektorëve të shërbimit dhe turizmit.
Papunësia u rrit në gati 12 për qind në muajt e parë të pandemisë, duke u shoqëruar me një ulje e ndjeshme të konsumit, të të ardhurave në buxhet dhe të investimeve, që u përkthyen në 28 mijë të varfër më shumë.
"Paketat mbështetëse për rindërtimin dhe për zbutjen e krizës shëndetësore vlerësohet se patën pak sukses në parandalimin e shtimit të varfërisë dhe sollën kosto fiskale serioze. Edhe incentivat me taksat të prezantuara së fundmi e shtojnë presionin mbi të ardhurat e pakta të shtetit."
Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare në 2020-ën ra në vlera negative, -4,7 për qind.
Për Bankën Botërore 2021-i, parashikohet të jetë pozitiv, për një rritje +4,4 për qind, e cila pritet të ulet lehtë në 3,7 për qind në vitet 2022 dhe 2023.
Sektori i turizmit pritet të rikuperojë dëmet e deritanishme nga pandemia vetëm pasi të ketë përfunduar fushata globale e vaksinimit.
Pritshmëritë janë pozitive edhe për ekonomitë e reja dhe në zhvillim në rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, që mund të rriten me 3,6 për qind ndërsa efektet e pandemisë zbehen gradualisht dhe marrin hov tregtia dhe investimet.