Përplasje shifrash mes INSTAT dhe BB, 28 mijë të varfër më shumë

Dy raporte të paraqitura nga INSTAT dhe Banka Botërore së fundmi në lidhje me rënien e ekonomisë shqiptare në vitin 2020 paraqesin shifra kontradiktore me njëra tjetrën.

Instituti i Statistikave deklaron shifrën e rënies me 3.31 për qind, por për bankën botërore tkurrja ka shkuar në 4.7%, kjo e ndikuar kryesisht nga tremujori i dytë, kur për shkak të pandemisë u vendos ndalim qarkullimi.

Sipas INSTAT gjatë tremujorit të katërt është shënuar rritje me 2.99% çka ka sjellë në një stabilizim të shifrave.

Edhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e ka cilësuar këtë si rënien më të kontrolluar në rajon.

"Në mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor me -5.42% , një ulje e ekonomisë pra 3.31% tregon një amortizim të goditjes së ekonomisë shqiptare, jo vetëm nga pandemia por dhe nga tërmeti dhe një menaxhim efektiv me masa konkrete dhe të drejtpërdrejta, por dhe me skema mbështetëse për të gjithë biznesin dhe individët," tha Denaj.

Sektori me ecurinë më të mirë dhe kontributin më të madh gjatë kësaj periudhe sipas INSTAT ishte ndërtimi me 1.84%.

Ndërkohë që sektorët që e kanë ndjerë më shumë krizën dhe vazhdojnë të jenë akoma të goditur janë Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe Shërbimi ushqimor me një rënie prej rreth 1%.