Ankohen tregtarët e fruta-perimeve: 50% më pak shitje gjatë pandemisë

Vështirësi ekonomike dhe një rrezik më të shtuar për infektim ka sjellë situata e pandemisë te tregtarët. Ata thonë se kanë shitur rreth 50% më pak se vitet e tjera dhe se produktet më të kërkuara kanë qenë frutat e rekomanduara nga mjeku për forcimin e imuniteti.

Gjatë vitit të pandemisë, tregtarët e fruta-perimeve kanë qenë ndër më të prekurit ekonomkisht, por jo vetëm.

Nga tregu i Uzinës Dinamo, thuhet se krahasuar me vitet e tjera ka rreth 50 përqind më pak blerje.

"Unë që tregtoj fruta-perime tash 26 vjet, ka qenë një rënie drastike, 50%."

Kjo vjen nga kushtet e vështira ekonomike që po kalon vendi, sipas tyre.

"Në Shqipëri kanë mbetur moshat mbi 50-60 vjeç, rini nuk ka, punë nuk ka. Janë vetëm njerëzit që punojnë në administratë dhe pleqtë. Pleqtë varen nga pensioni dhe administrata nga rroga. Normal që ka pasur edhe tkurrje të blerjes."

Produktet më të shitura  kanë qenë frutat e rekomanduara për forcim imuniteti.

"Më shumë kërkojnë portokalle, limonë dhe kivi."

"Produktet që janë rekomanduar nga mjekësia, boronicat nga Tropoja, qepa e kuqe dhe e bardhë dhe limoni."

Veç uljes së blerësve ata tregojnë rrezikun e përditshëm me të cilin janë përballur dhe po kalojnë çdo ditë.

"Nuk i afroj shumë, u them mbani distancë nëse doni të blini, nëse jo ikni."

Disa madje kanë vendosur edhe standardet e veta.

Duke e kahasuar me marsin e vitit të kaluar, kur vendi ishte në izolim dhe tregjet mbusheshin nga qytetarët, shitësit shprehen sot se atëherë puna u shkonte më mirë.

"Ka qenë më mirë, tani i kursejnë lekët dhe nuk ka blerje."