Fasoneritë në krizë, INSTAT: Bien eksportet me 0.9%, tekstilet dhe këpucët rënie me 7.6%
Tejzgjatja e pandemisë së koronavirusit nuk po i lejon eksportet të rimëkëmben.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë muajit shkurt vlera e këtij treguesi arriti në 24.7 miliardë lekë nga 25 miliardë që ishin një vit më parë.
Sektori që po e ndjen më shumë krizën, vijojnë të jenë fasoneritë. Ky grup ka shënuar një rënie me 7.6% gjatë muajit që lamë pas.
Në këtë sektor janë të punësuar rreth 70 mijë persona dhe prej muajsh raportojnë shkurtim të personelit por edhe mbyllje për shkak të krizës ekonomike.
Edhe në mallrat e importuara grupi i tekstileve dhe këpucëve raportohet në rënie.
Ekonomia duket se u shpëtua nga ndërtimi që shënon një rritje prej rreth 5%.
Importet rezulton të jenë goditur më pak, pasi raportohen me një rritje të lehtë prej 1%, e ndikuar kjo nga grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit me 4%.
INSTAT bën me dije se deficiti tregtar përgjatë muajit shkurt arriti në 27 miliardë lekë, duke u rritur me 2.7% krahasuar me një vit më parë.
Vendet me të cilat Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe të eksporteve janë Spanja, ndjekur më pas nga Gjermania dhe fqinjët italianë.
Ndërkohë që rritja më e madhe është shënuar nga Kosova, Greqia dhe Kina.