Kriteret e ‘tepruara’ të tenderit të OST-së përfundojnë në KPP, produktet nuk lidhen me procedurën
OST është vënë disa herë nën akuzë në ankesat e paraqitura në Komisionin e Prokurimeve Publike. Kompanitë akuzojnë për skualifikim të padrejtë, diskriminim apo dhe kritere të tepruara.
Kriteret e vendosura nga institucionet në tendera janë konsideruar shpesh nga kompanitë që marrin pjesë si aspak të drejta dhe diskriminuese.
Një fenomen i tillë është konstatuar edhe në ankesat që janë bërë mbi procedurat e ndjekura nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Në dokumentet e Komisionit të Prokurimit Publik në shtator të vitit 2019, ky institucion vihet nën akuzë dhe kjo ndodh vetëm pak muaj pasi Drenova kishte marrë drejtimin e OST-së.
Konkretisht bëhet fjalë për blerjen e materialeve të sigurimit teknik dhe pajisjeve për testim me fond limit 29.9 milionë lekë.
Start Co shpk, pasi është njohur me kërkesat e prokurimit ka paraqitur ankesë pranë ndërmarrjes që Drenova drejton duke pretenduar se janë vendosur produkte të cilat nuk lidhen me procedurën në fjalë.
“Autoriteti Kontraktor me këtë kriter disproporcional ka cënuar sigurinë juridike të trajtimit të barabartë të Operatorit Ekonomik që në fillim të garës, duke lejuar kritere të paligjshme për mallra që nuk kërkohen dhe nuk lidhen me objektin e prokurimit.”
Pranimi i pjesshëm i ankesës nga OST, ka bërë që çështja të përfundojë në dyert e KPP, i cili i kujton institucionit të Drenovës se kriteret duhet të vendosen në përputhje me ligjin duke mos diskriminuar subjektet.
“Dokumentat e tenderit dhe kriteret për kualifikim duhet të hartohen në përputhje me LPP-në dhe rregullat e prokurimit publik në mënyrë të tillë që të nxisin pjesëmarrjen dhe konkurrencën e operatorëve ekonomikë, të stimulojnë pjesëmarrjen e biznesit të vogël dhe të mesëm, si dhe të sigurojnë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë.”
Për këtë i është kërkuar OST-së të modifikojë dokumentat e tenderit dhe brenda 10 ditëve të vërë në dijeni KPP-në për zbatimin e vendimit.