ARRSH tentoi të favorizojë Salillarin, Verdho renditi të parën kompaninë me çmimin më të lartë, e bllokon KPP

Në kriteret për shpalljen fitues në tendera, kërkohet mbështetja e kompanive që ofrojnë çmimin më të ulët. Por në një ankesë të bërë në Komisionin e Prokurimit Publik, zbulohet se ARRSH ka mbështetur kompaninë Salillari me çmimin më të lartë, dhe ka zbritur në renditje ofertën më të ulët.

Autoriteti Rrugor Shqiptar është një nga institucionet që qarkullon miliarda lekë në vit përmes tenderave për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Madje, shpesh është akuzuar edhe për abuzime me fondet publike, ku fitues të kontratave shpalleshin ofertat më të larta.

I drejtuar nga Ergys Verdho, ARRSH ka tentuar të shpallë fitues firmën Salillari edhe pse një subjekt tjetër kishte ofruar çmim me të ulët, por gjithçka është parandaluar nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Për mirëmbajtjen e rrugës Berat- Çorovode, Çorovode-Hambull dhe Hambull-Rog me fond limit 168.9 milionë lekë morën pjesë 3 kompani.

Institucioni nën drejtimin e Verdhos gjatë vlerësimit ka renditur me më shumë pikë firmën Salillari edhe pse  2T kishte paraqitur ofertë më të ulët.

Pas kësaj, subjekti 2T ka ankimuar vendimin pranë ARRSH-së duke kërkuar rivlerësim, por kërkesa nuk është pranuar.

Kur gjithçka ka përfunduar në KPP, ky i fundit ka arritur në përfundimin se kompania që kishte ofertuar më pak duhet vlerësuar me pikët maksimale.

 “Me dokumentacionin e paraqitur ky operator ekonomik dëshmon se ka realizuar kontrata të ngjashme/të njëjta me objektin e prokurimit e si të tilla pretendimi i tij për një vlerësim maksimal të përcaktuar për këtë komponent, është tërësisht i bazuar.”

Vetëm pas këtij vendimi, ARRSH-ja e drejtuar nga Verdho, është detyruar të shpallë fitues subjektin 2T dhe të heqë dorë nga vendimi i vet për të shpallur fitues Salillarin që kërkonte më shumë para.