Tenderat “e kripur” të OST, fond për blerjen e pajisjeve dhe mirëmbajtjen e nënstacioneve
Skualifikimi i të gjithë konkurrentëve përveç fituesit është një procedurë e përsëritur e kthyer tashmë në fenomen në prokurimet publike.
Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe për tenderin me objekt “Pajisje për mirëmbajtjen e Nënstacioneve” me një fond limit prej 89 milionë lekësh.
Autoriteti kontraktues në këtë rast është Operatori i Sistemit të Transmetimit. Për kontratën kanë shfaqur interes 4 kompani, tri prej të cilave janë skualifikuar duke lënë në garë vetëm një subjekt që u shpall automatikisht fituesi.
Kompania H&E Energy paraqiti ofertën prej 88.9 milionë lekësh, me një diferencë të vogël nga fondi limit. Ndërkohë që një prej subjekteve të skualifikuara kishte ofertuar rreth 4 milionë më pak se fituesi.
Procedura është parashikuar me një kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe sipas dokumenteve standarde të tenderit përfshin transformatorë, izolatorë, sallë baterish etj.
Subjekti H&E Energy për të cilin ka rezultuar e suksesshme procedura është regjistruar në Qendrën Kombëtarë të Biznesit në vitin 2017 dhe ka si administrator dhe pronar të vetëm Hajdar Kurtin.