Edhe më e lehtë për Anglinë, 2 lojtarë me Covid te Polonia
Që Anglia është favorite për të fituar Grupin I ku ndodhet edhe Shqipëria nuk ka asnjë diskutim dhe pas dy fitoreve të para, i shtrohet rruga edhe për suksesin e tretë radhazi. Rivalët e “Tre Luanëve”, Polonia është “gjymtuar” për disa arsye teksa Federata e Futbollit njoftoi se dy lojtarë të tjerë kanë rezultuar me Covid-19.
Bëhet fjalë për Grzegorz Krychowiak dhe Kamil Piatkowski të cilët dolën pozitivë në testet e fundit dhe I shtohen dy lojtarëve të tjerë Mateusz Klich e Lukasz Skorupski të cilët ishin të parët që u infektuan me koronavirus.
Përballja me Anglinë bëhet tepër e vështirë për Poloninë e cila është e dyta në grup me 4 pikë dhe për më tepër nuk do të ketë në fushë as lojtarin më të mirë, Robert Lewandowski i cili u dëmtua në ndeshjen me Andorran.
Kujtojmë që në ndeshjet e treta të Grupit I, Shqipëria do të luajë në transfertën me San Marinon ndërsa Hungaria e cila ka edhe ajo 4 pikë do të jetë e angazhuar në takimin në Andorra.