Tkurret kombëtarja, probleme me kartonat dhe dëmtimet
Ndeshja e tretë që duhet të jetë në letër takimi më i lehtë për kuqezinjtë, do të ketë në fakt një vështirësi të konsiderueshme për djemtë e Rejas pasi ekipi është tkurrur nga disa probleme.
Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit, ekipi kuqezi ka zbarkuar sipas planit në San Marino këtë pasdite por ka pësuar ndryshime në organikë, të gjitha lëvizjet në dalje.
Më konkretisht, Klaus Gjasula, është larguar që sot drejt klubit të tij, pasi është i skualifikuar për shkak kartonësh dhe nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e tretë dhe listës së mungesave i shtohet edhe Florian Kamberi që ka pësuar një dëmtim.
Sulmuesi i Aberdeen vërtet i pafat pasi ende nuk po i vjen radha të debutojë për shumë arsye, pothuajse në çdo grumbullim me kombëtaren.
Në fund, në dyshim mbetet edhe Odise Roshi që ka shfaqur një problem të vogël dhe ende duhet vlerësuar nga stafi i kombëtares.