Lezhë/ Familjari kërkon rivlerësim për banesën e dëmtuar nga tërmeti

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 i shkaktoi dëmtime në mure dhe tavan.

Fran Gazulli dhe bashkëshortja e tij, nga Dajçi i Lezhës, prej gati një vit e gjysmë nuk jetojnë në banesën e tyre, për shkak të rrezikut.

Shqetësues për ta ishte dhe vlerësimi i dëmeve.

Ekspertët kanë konstatuar dëmtimi te nivelit DS2, qe parashikon rikonstruksion te objektit,  por i zoti i shtëpisë pretendon se kjo ekspertizë nuk është e saktë.

"Mua asnjë lloj vlerësimi inxhinierët që kanë ardhur s'më kanë thënë asnjë fjalë ekzakte. Vetëm kanë ardhur dhe kanë ikur, unë nuk kërkoj lekë. Unë kërkoj si gjithë të tjerët, nëse ka mundësi meqë jam njeri i vetëm, jam i pafuqishëm, jam i sëmurë edhe unë edhe gruaja, s'kam mundësi fizike," thotë Gazulli.

Ai sfidon autoritetet për një tjetër vlerësim ndërsa thotë se shuma prej 250 mijë  lekësh që ai ka marrë është e pamjaftueshme për riparim.

"Unë nga shteti kërkoj rivlerësim edhe të bëjnë çatinë. Nëse shteti sjell inxhinierë, të ma japin një përgjigje me përgjegjësi që kjo shtëpi është e banueshme unë futem brenda, nëse inxhinierët nuk ma lëshojnë më shkrim siç ka thënë kryeministri," thotë ai.

Fran Gazulli thotë se shqetësimin e tyre e ka bërë prezent tek institucionet vendore dhe qendrore, por pa mundur që të gjeje zgjidhje.