Ora policore nuk ndryshon por maturantët kthehen në klasa
Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mërkurën të mbaj të pandryshuar masat kufizuese, pasi siç u shprehën ata, situata e pandemisë mbetet ende delikate. I vetmi ndryshim është rikthimi i maturantëve në klasa.
Maturantët do të rikthehen në klasa pas afro dy muajsh mësim në distancë.
Vendimi u mor këtë të mërkurë (31 mars) nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe u argumentua me uljen e infektimeve në grupmoshën 15-20 vjeç si dhe vaksinimin e arsimtarëve.
"Maturat ashtu siç ka qenë kur filloi shkolla nëpër klasa duhet të zbatojnë me shumë rigorozitet protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga infeksioni SARS-CoV-2".
Masat e tjera kufizuese nuk ndryshojnë, ato do të rivlerësohen javën që vjen.
"Shifrat përsëri nuk janë aty ku duhet të jenë për të marrë masa për të liruar situatën."
Pavarësisht përmirësimit të treguesve të pandemisë, ekspertët e Komitetit Teknik thonë se situata mbetet ende delikate.
"Përveç numrave të rënë do të citoja një numër që ka pësuar rritje që është numri i bashkive të prekura që ka arritur mesatarisht 43 në javë. Mbetet një situatë epidemiologjike me numra të kontrolluar por akoma delikate."
Ata apeluan për shmangien e grumbullimeve, vendosjen e maskës dhe kujdesin ndaj higjienës.