Denoncimi për ndërtimet në Sarandë, pronari i hotelit: Fqinji shton kate pa leje, Bashkia hesht
Pronari i një hoteli në Sarandë denoncon ndërtimin pa leje në një objekt ngjjitur me pronën e tij dhe ngre hije dyshimi për mosveprimin e Bashkisë së drejtuar nga Adrian Gurma. Zambak Beqiri, thotë se fqinji po shton kate në shkelje të ligjit, por institucionet nuk kanë marrë asnjë masë për këto pretendime.
Një denoncim për ndërtim pa leje dhe neglizhencë të institucioneve lokale me në krye bashkinë e drejtuar nga Ardian Gurma vjen nga Saranda.
Zambak Beqiri, pronar i një hoteli në zonën e Kanalit të Çukës, pretendon se një subjekt ngjitur po shton kate pa leje në një objekt që në lejen e ndërtimit të vitit 2010, parashikohej 4+1 kate.
"Pranë ndërtesës time bëhet një ndërtesë shumëkatëshe pa leje. Leja e ndërtimit që ka pasur më parë ka qenë katër kate dhe një garazh. Mbi këtë leje ndërtojnë jashtë rregullave të urbanistikës, leja ka mbaruar që në 2019."
Katet shtesë dhe në shkelje të ligjit sipas denoncuesit i kanë izoluar hotelin dhe për këtë i është drejtuar institicioneve për të denoncuar shkeljet e pretenduara të ligjit.
Por thotë se nuk ka marrë përgjigje.
"Jemi ankuar te Bashkia por nuk merr asnjë masë, jemi ankuar te policia por ajo i ndihmon këta për të ndërtuar dhe katin e tetë".
Objekti në ndërtim tashmë ka shkuar 8 kate dhe ndodhet vetem 50 cm larg hotelit të familjes Beqiri, të cilët kërkojnë reagimin e institicioneve të shtetit për të garantuar zbatimin e ligjit dhe rregullave njësoj për të gjithë.